FOTO/ 1200 tituj të rinj në “Fieri 2019”, mbyllet Panairi Kombëtar i Librit

TIRANË, 14 maj /ATSH/ – Fatos Kongoli, Kim Mehmeti, Adrian Civici, Skënder Buçpapaj e Çun Lajçi kanë triumfuar në edicionin e gjashtë të panairit kombëtar të librit në Fier.

Dhjetëra aktivitete në një axhendë maratonë janë kurorëzuar me ceremoninë e dhënies së çmimeve për më të mirët e këtij edicioni.

Nga 132 libra konkurrentë, në gjini të ndryshme, juria e panairit e përbërë nga akademiku Ali Aliu, (kryetar) dhe Flutura Açka e Erestina Halili (anëtare), arriti të përzgjedhë më të mirët.

Çmimi për romanin më të mirë shkoi për shkrimtarin Fatos Kongoli, me motivacion: “Për romanin ‘Gënjeshtarë të vegjël’, i cili, me një origjinalitet të përsosur, sjell kode unike ligjërimi, ngjarje të ndërthurura mjeshtërisht dhe një narracion të rrjedhshëm” (Botimet Toena).

Çmimi  për prozën tregimtare më të mirë u akordua për shkrimtarin Kim Mehmeti me motivacion: “Për librin ‘Lutjet e mesnatës’ – me shije të hollë letrare, gjuhë të pastër dhe mjeshtëri në mpleksjen dhe ndërtimin e subjektit. Libër që pasuron prozën e shkurtër shqipe” (Botimet Agora).

Libri publicistikë më i mirë rezultoi të jetë ai i Adrian Civicit, me motivacion: “Për librin ‘Udhëtim në tri kohë’ – dialog me Alda Bardhylin, i cili, vjen me origjinalitet të spikatur dhe sjell një rrëfim krejt ndryshe mbi komunizmin, tranzicionin dhe kapitalizmin” (Botimet Onufri).

Çmimi, libri poetik më i mirë iu dha poetit Skënder Buçpapaj, me motivacion: “Për librin ‘Imgur’ – simbiozë e imagjinatës poetike dhe perceptimit filozofik, duke sjellë një kostelacion të gjerë në kozmosin e letrave shqipe” (Botimet Onufri).

Çmimi për librin poetik më të mirë elegjiak shkoi në Kosovë te artisti Çun Lajçi, me motivacionin “Për  librin ‘Bubulina, ti letër e pashkrueme’, nëpërmjet të cilit autori spikat mjeshtëri krijuese në paraqitjen e imazhit elegjiak” (Botimet Buzuku).

Çmimi i letërsisë për fëmijë u rrëmbye nga Rudina Çupi, me motivacion: “Për librin ‘Një elefant elegant’, ku bien në sy gjetjet interesante, harmonizimi i bukur i ritmit dhe mendimit” (Botimet Botart).

Jashtë konkurrimit, për shkrimtarin Fatos Kongoli, kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi akordoi një certifikatë mirënjohjeje.

Edhe në këtë edicion u ekspozuan 5 mijë tituj librash, nga të cilët 1 mijë e 200 ishin të rinj. Rreth 100 shtëpi botuese sollën për publikun e gjerë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe trevat e tjera shqipfolëse. /a.a/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.