Festivali i Kanës, gati për të pritur yjet e kinemasë botërore

TIRANË, 14 maj /ATSH/ – Mbrëmja e sotme pritet të dhurojë spektakël për të gjithë të apasionuarit e filmit. Dekori dhe tapeti i kuq janë gati për të pritur yjet e kinemasë botërore në edicionin e 72-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit.

Edicioni i këtij viti do të jetë një event historik, pasi për herë të parë hapet me një film horror, “The Dead Do not Die”.

Gjithçka është gati për Festivalin e 72-të të Kanës. Dekori ka përfunduar, ndërsa tapeti i kuq pret këtë mbrëmje yje të shumtë, përfshirë këtu edhe Quentin Tarantino dhe Abdellatif Kechiche, që i bashkohen listës së regjisorëve të mëdhenj që garojnë këtë vit bashkë me Pedro Almodovar, Ken Loach apo vëllezërit Dardenne.

Festivali këtë vit do të presë yje të shumtë, përfshirë aktorët Leonardo DiCaprio, Brad Pitt, Isabelle Huppert dhe muzikantë Iggy Pop, Tom Waits, Elton John dhe Bono Vox.

Gjiganti i kinemasë franceze, Alain Delon, marrëdhëniet e të cilit me organizatorët e festivalit kanë qenë të turbullta, do të marrë një Palmë të Artë për vepër jetësore.

Çmimin kryesor do ta japë juria, presidenti i së cilës është regjisori meksikan, Alehandro Gonzalez Injarti.

Edicioni i 72-të i Festivali Ndërkombëtar të Filmit që nis këtë të martë do të vijojë deri më 25 maj, ndërsa për Palmën e Artë do të garojnë 21 filma. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.