​Haradinaj takim me rektorin dhe dekanët e UP-së

PRISHTINË, 14 maj /ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marian Dema si dhe disa dekanë të fakulteteve të këtij Universiteti.

Haradinaj deklaroi se Universiteti i Kosovës është aset kombëtar dhe pikë orientuese e zhvillimit të shoqërisë sonë.

“Biseduam posaçërisht për mundësinë e modernizimit dhe rifunksionalizimit të laboratorëve, rritjen e efektshmërisë së instituteve nëpër fakultete, si dhe rigjenerimin e kapaciteteve kadrovike në fushat deficitare, veçmas në inxhinierinë elektrike dhe në fushën e matematikës”, – tha Haradinaj.

Në këtë takim, si nismë e rrugëtimit që Universiteti i Prishtinës të jetë në hap me trendet bashkëkohore të arsimit, u dakordua që të bëhet një plan operacional që përfshin rishqyrtimin e normativave ligjore të arsimit të lartë. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.