Spiropali: Protestat e opozitës të dhunshme sepse Basha nuk bëhet dot faktor përmes zgjedhjeve

TIRANË, 13 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali deklaroi sot se “protestat e opozitës po bëhen përherë e më të dhunshme, sepse masa e njerëzve është zvogëluar”.

E ftuar në një studio televizive, Spiropali komentoi protestat e dhunshme të opozitës duke shtuar se ka një ndryshim drastik mes policisë në kohën kur PD ishte në qeveri, me atë sot.

“Basha nuk bëhet dot faktor përmes zgjedhjeve, alternativave apo numrave në protestë, ndaj dhe vijon dhuna ndaj godinës së parlamentit e kryeministrisë. Kryeministria nuk është e Edi Ramës, por është përfaqësuese e pushtetit ekzekutiv në këtë vend, pavarësisht se kush është kryeministër”, tha Spiropali.

T’i nxisësh njerëzit që të sulmojnë institucionet, sipas saj, është krim. “Nuk i kanë asnjë hak për të larë qytetarët kësaj opozite e cila do të marrë peng Shqipërinë. Këta politikanë nuk kanë asnjë skrupull. Po i çojnë njerëzit drejt burgut”, tha ajo.

Spiropali theksoi se “Basha kërkon ndryshimin e qeverive me dhunë, jo me votë”. “Asnjë opozitë në rajon deri tani, edhe pse kanë shkuar në bojkot, nuk kanë djegur mandatet, nuk ka ikur nga përfaqësimi dhe nuk ka dalë në rrugë”, tha ajo.

Spiropali shprehu bindjen se “ne do t’i japim fund këtyre përsëritjeve ciklike të krizës në Shqipëri, dhe në këtë mënyrë PD dhe LSI, që janë katandisur në një çetë në rrugë, do të kuptojnë se nuk mundet të bëjnë akte të tilla”.

“Ka ardhur koha që edhe opozita e Shqipërisë të marrë frymë dhe të çlirohet nga një grup që e ka kapur prej fyt. Basha nuk ngre asnjë kauzë, nuk ka asnjë vizion, asnjë teori se si do ta ndërtojë shtetin, çfarë masash do marri për ekonominë, punësimin e me radhë, por me duar drejtuar nga kryeministria fton për dhunë. Ai është thjesht marionetë e Berishës që ka marrë peng PD-në për hesap të familjes së Berishës”, tha Spiropali.

Ajo shprehu bindjen se në 30 qershor do të shkojmë pa diskutim në zgjedhje. “Kemi regjistruar kandidatët, kemi bërë një proces shumë rigoroz, të drejtë dhe kemi përzgjedhur më të mirët në 61 bashki. KQZ do të menaxhojë procesin zgjedhor dhe ne do t’i përgjigjemi manualit strikt të KQZ-së. Zgjedhjet jo vetëm do të zhvillohen, por ata që do të pengojnë qytetarët do të përballen me forcën e ligjit”, tha Spiropali.

Ministrja tha se “ne do të shkojmë në zgjedhje dhe do të respektojmë ligjin dhe zgjedhjet do të bëhen me apo pa ata”.

“Nuk besoj se ka budallenj në këtë vend, sado të dëshpëruar të jenë, që të shkojnë në burg 5-8 vjet për Bashën e Kryemadhin”, tha Spiropali.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.