Ndryshimet në Kodin Penal/ Shahini: 1-5 vite burg për ata që hyjnë në fushën e gjelbër

TIRANË, 13 maj/ATSH/ – Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, personat që ushtrojnë dhunë në fushat sportive apo futen në fushën e gjelbër do të dënohen nga 1 deri në 3 apo 5 vite burg.

Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, në tryezën e konsultimit me drejtues të federatave sportive mbi ndryshimet e reja në Kodin Penal në kuadër të luftës kundër dhunës në sport.

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme ka ngritur një grup pune për identifikimin e masave të nevojshme ligjore për parandalimin e dhunës në aktivitetet sportive, si dhe ka propozuar ndryshimet në Kodin Penal, për të ndaluar ushtrimin e çdo lloj forme dhune”, – nënvizoi Shahini.

“Masat që janë propozuar janë: 1-3 vjet burg kur dhuna kryhet në mjediset sportive; 1 -5 vjet kur hidhen sende në fushë; 6 muaj-3 vjet burg kur përdoren fishekzjarre apo mjete piroteknike; 1-3 vjet burg për ata që hyjnë në fushën e lojës 1-5 vjet për ata që hyjnë në fushën e lojës në ndeshjet ndërkombëtare”, – theksoi Shahini.

Ministrja u shpreh se “është shumë e rëndësishme të shkëmbejmë idetë tona më të mira për të përmirësuar gjendjen jo shumë të mirë të përdorimit të dhunës në sport. Ky fenomen është i përhapur kudo, jo vetëm në Shqipëri dhe është detyrë e përgjegjësi e secilit që të bëjnë më të mirën në adresimin e kësaj çështje dhe të kthehet në një aktivitet të mire zbavitje dhe je të merremi me ato copëzat e shëmtuara që jo vetëm sport nuk quhet”.

“Edhe pse forcat e rendit kane qenë të pranishme kanë qenë ngjarje që nuk janë arritur të frenohen. Ka pasur shumë përplasje mes sportistëve, tifozëve ku janë përfshirë edhe presidentët e klubeve apo dhuna ndaj arbitrave gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjeve.
Gjatë vitit të fundit identifikuam disa raste dhune si në stadiumet e Korçës, Vlorë, Kamzës, etj. Në të gjitha këto raste Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë masa, por duket se ato nuk janë të mjaftueshme dhe rastet janë përsëritur”, – u shpreh Shahini.

Ministrja theksoi se “duhet të ndërmarrim masa më të ashpra, pasi edhe vendet e tjera për shkak të dhunës në sport janë detyruar të marrin masa më strikte për zgjidhjen e këtij fenomeni”.

Ministrja tha se “shfaqje të dhunës ka pasur edhe në sporte të tjera, masat që janë marrë deri tani si nga Policia e Shtetit nga gjykatat kur rasti ka shkuar në Prokurori dhe pastaj në gjykata janë të pamjaftueshme”.

Drejtuesit e federatave sportive kërkuan dënime më të ashpra në lidhje me ndëshkimin e personave që ushtrojnë dhunë në ambientet sportive.

“Duke qenë dënimet më të ashpra edhe gjyqësori do të jetë para një fakti dhe nuk do të japë dënime të lehta”, u shprehën ata.

Ata shprehën besimin se me këto ndryshime në Kodin Penal do të bëhet një punë shumë e mirë dhe në këtë mënyrë nuk do të shikojmë këta shembuj negativë që ndodhin në Shqipëri në fushën e sportit. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.