Mjedisi, delegacioni shqiptar në Bruksel për përafrimin e legjislacionit

TIRANË, 13 maj/ATSH/ “Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë europian ka shënuar progres gjithnjë e më në rritje”, deklaroi sot nga Brukseli zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi.

Zv/ministrja Çuçi dhe zv/ministri Për Europën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja ndodhen në Bruksel ku po zhvillojnë takime me përfaqësues të Komisionit Europian për përgatitjen e negociatave në Kapitullin 27, Mjedisi.

Për Shqipërinë, tha Çuçi, “është mjaft i rëndësishëm plotësimi i detyrave që dalin nga ky kapitull”.

“Ne kemi përputhur më shumë se 60% të legjislacionit, kemi skanuar situatën mjedisore dhe kemi identifikuar problematikat. Vijon puna për të kapërcyer sfidat që kemi përpara dhe për të plotësuar kërkesat e standardet e BE-së në mjedis”, tha Çuçi.

Ajo u shpreh se, “po vijon puna për një Shqipëri të pastër, me cilësi më të mirë jetese, për një destinacion europian turistik”.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.