Boksieri 21-vjeçar shqiptar Jurgen Uldedaj shpallet kampion bote

TIRANË, 13 Maj /ATSH/ – Boksieri 21-vjeçar shqiptar Jurgen Uldedaj është shpallur kampion bote në kategorinë “Junior WBC”.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur urimet e tij, duke theksuar se, “shpallja kampion bote në kategorinë “Junior WBC” e 21-vjeçarit shqiptar Jurgen Uldedaj, është një sukses i jashtëzakonshëm për boksin tonë profesionist”.

“Urime të përzemërta për kampionin tonë të pamposhtur në ring dhe paraqitje gjithmonë të shkëlqyera në të ardhmen!”, thekson Meta.

21-vjeçari Uldedaj mposhti me pikë polakun, Krzysztof Twardowski, duke triumfuar me pikë 97-93.

Një fitore historike kjo për Uldedaj, që bëhet boksieri i parë shqiptar që fiton këtë titull. Ky triumf vjen vetëm një vit pas fitimit të titullit të kampionit të Botës, WBO. Kjo është fitorja e 11-të e Uldedajt në 11 ndeshje, duke ruajtur kështu pathyeshmërinë në ring.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.