​Thaçi: Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës

PRISHTINE, 13 maj/ATSH/- Presidenti Hashim Thaçi deklaroi sot se e drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre.

“Kjo përpjekje ka ndalur së realizuari angazhimet e sofistikuara që veriu i Kosovës t’i dorëzohet Milan Radojçiqit, fillimisht pasuria e Trepçës, për të vazhduar me transformimin e pasurive shtetërore në ato komunale (katër komunat e veriut) dhe, po ashtu, ka parandaluar planet për sovranitet të dyfishtë dhe asociacion me mandat ekzekutiv, modeli i Republikës Serbe, pra autonomi rajonale”, shprehet Thaçi.

Ai shpreh besimin e fuqishëm se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës dhe se për arritjen e këtij qëllimi duhet të jemi të bashkuar, pasi që humbja eventuale e kësaj mundësie, do të jetë gabim historik i pariparueshëm.

“Vazhdoj të besoj fuqishëm se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës dhe për arritjen e këtij qëllimi ne duhet të jemi të bashkuar. Humbja eventuale e kësaj mundësie, do të jetë gabim historik i pariparueshëm. deklaron Thaçi/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.