FOTO/ Anijet turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit, 425 vizitorë vetëm në prill

TIRANË, 11 maj/ATSH/ – Sazani dhe Karaburuni, vijojnë të mbeten ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.

Në fillim të çeljes së sezonit turistik në qytetin e Vlorës anijet e vogla turistike të ankoruara në Portin Detar kanë nisur tashmë udhëtimet e para drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Drejtori i Portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “porti i Vlorës është një pikë kyçe për turizmin detar. Operatorët turistikë të cilët zgjedhin të nisen nga Porti i Vlorës drejt destinacioneve atraktive si Karaburuni dhe Sazani, kanë shtuar numrin e anijeve, të cilat kanë shkuar në 13, nga 8 anije turistike që kanë operuar në 2018”.

“Gjatë fundjavave të muajit prill kanë operuar 3 anije turistike (“Black Pearl”, “Regina Blue” dhe “Teuta”), me një numër total rreth 425 vizitorë, prej të cilëve 260 janë vizitorë kosovarë, 26 maqedonas, 23 janë turistë nga shtete të ndryshme si Polonia, Italia dhe 116 prej tyre janë vizitorë shqiptarë”, – nënvizoi Malaj.

Sipas tij, gjatë sezonit turistik, anijet turistike operojnë me një grafik më të ngjeshur, duke udhëtuar pothuajse përditë.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.