Nga 1 korriku, ulje e përshkallëzuar e tarifave roaming me vendet e rajonit

TIRANË, 9 maj /ATSH/ – Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur dokumentin që do të rregullojë uljen e përshkallëzuar të tarifave roaming me vendet e rajonit.

Sipas këtij dokumenti parashikohet që duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, tarifa maksimale për thirrjet dalëse në roaming, përfshi TVSH-në, do të jetë 28,5 lekë për minutë, për thirrjet hyrëse 6 lekë për minutë, për mesazhet e shkruara 9 lekë për njësi, ndërsa për internetin 26,37 lekë për megabyte.

Nga 1 korriku 2020, deri në 30 qershor 2021, tarifa për thirrjet hyrëse në roaming do të ulet në rreth 3,75 lekë për minutë, ndërsa tarifa për shërbimet e tjera do të qëndrojë e njëjtë si në fazën e parë.

Nga 1 korriku 2021 të gjitha tarifat shtesë do të hiqen dhe përdoruesit shqiptarë që përdorin roaming në vendet e rajonit do të paguajnë çmime të njëjta si në Shqipëri.

Marrëveshja për uljen e përshkallëzuar, deri në heqjen totale të tarifave roaming u nënshkrua në fillim të muajit prill në samitin digjital të Beogradit. Palë në marrëveshje janë Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.