Kiliani Sanchez drejt “Interit”

TIRANË, 9 maj /ATSH/ – Kalimi i Alexis Sanchez nga “Arsenali” tek “Manchester United” në vitin 2018 mund të konsiderohet një dështim i plotë për karrierën e futbollistit.

Këtë sezon, kiliani me fanellën e “Djajve të kuq” është aktivizuar 20 herë dhe ka shënuar vetëm një gol, shumë larg pritshmërive të tij.

Për këtë arsye, aventurës së 30-vjeçarit në “Old Trafford” po i vjen fundi. Italia i ka lënë mbresa të mira lojtarit dhe për këtë rikthimi në Serinë A duket një mundësi e mirë.

Menaxherët e sulmuesit disa ditë më parë janë takuar me drejtuesit e “Interit”, për një kalim të sulmuesit nën drejtimin e Spallettit, por paga prej 15 milionë eurosh në sezon mbetet një çështje për t’u zgjidhur, pasi zikaltrit nuk mund të paguajnë një shifër të tillë, që do të shkaktonte pakënaqësi dhe përçarje mes lojtarëve.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.