Shqipëria angazhim për të finalizuar projektin për bazën ajrore të Kuçovës

TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Shqipëria garanton mbështetjen dhe angazhimin e saj për të vazhduar bashkëpunimin dhe përmbushur detyrimet në kuadrin e NATO-s, dhe posaçërisht për ta finalizuar projektin e përbashkët për bazën ajrore të Kuçovës.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar sot gjeneral Tod D. Wolters për zgjedhjen Komandant i Aleancës së Atlantikut të Veriut në Europë.

“Para së gjithash, si Kryetar i Shtetit dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’ju uroj përzemërsisht suksese në funksionin dhe sfidën më të lartë, si Komandant Suprem i Aleancës së Atlantikut të Veriut në Europë”, – është shprehur Meta në urimin e tij.

Jam shumë i sigurt, ka vijuar Meta, “se eksperienca dhe lidershipi juaj i mirënjohur si Komandant i Komponentit Ajror të NATO-s, si dhe karriera Juaj e spikatur në Forcat e Armatosura të SHBA-së, do të shërbejnë si një vlerë e shtuar në forcimin e solidaritetit si dhe përkushtimin e 29 vendeve tona për të ndërtuar dhe zhvilluar kapacitete të afta dhe të besueshme për t’u përballur me rreziqet dhe sfidat e shekullit XXI”.

“Me këtë rast, ju siguroj për mbështetjen dhe angazhimin Republikës së Shqipërisë për të vazhduar bashkëpunimin dhe përmbushur detyrimet në kuadrin e NATO-s, dhe posaçërisht për ta finalizuar projektin e përbashkët për bazën Ajrore të Kuçovës, etj.”, – ka theksuar Meta.

“Duke përfunduar, dëshiroj t’ju shpreh konsideratat e mia personale, që patëm mundësi të takohemi dhe të ndajmë këndvështrime në zyrën time më 24 janar 2019, në Tiranë dhe mbetem i dëshiruar për t’u takuar së shpejti në funksionin që sapo keni marrë”, – ka nënvizuar Meta. /gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.