Punime në autostradën Tiranë-Durrës, ARRSH: Qarkullimi i mjeteve me shpejtësi të reduktuar

TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë se, duke nisur nga dita e mërkurë datë 8 maj 2019 ora 08:00 në mëngjes deri në datë 17.07.2019, në kuadër të projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore Bazuar në Rezultate”, financim i Qeverisë së Shqipërisë dhe Bankës Botërore, do të realizohen punime në Autostradën Tiranë-Durrës, ndaj qarkullimi i mjeteve do të bëhet me shpejtësi të reduktuar.

Sipas ARRSH-së, punimet do të kryhen në rrugët: rehabilitim i sistemit të ndriçimit në Autostradën Tiranë-Durrës, nga Km 0+000 deri në Km 14+750; segmenti rrugor: ish-Dogana-Qafë-Kashar-Vorë.

Qarkullimi i mjeteve në pjesën ku do të kryhen punimet do të jetë me shpejtësi të reduktuar, lëvizja e mjeteve do të drejtohet në 1 korsi (Punimet kryhen vetëm gjatë njërit drejtim të rrugës) dhe do të realizohet në përputhje me sinjalistikën e vendosur sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të miratuar.

Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve te zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor, respektimin në mënyrë rigoroze të sinjalistikës provizore të vendosur, rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore në terren. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.