FOTO/ Koleksioni i parë pa Karl Lagerfeld, një ndërthurje mes modernes dhe elegancës karakteristike të Chanel

TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Shefja e re kreative e “Chanel”, Virginie Viard, prezantoi koleksionin e saj të parë solo për firmën luksoze franceze të modës, duke ecur në gjurmët e Karl Lagerfeldit, me një “show” të frymëzuar nga udhëtimet me tren.

“Gati për t’u ngjitur në bordin e Chanel Express” ishte motoja e eventit që pushtoi hollin e madh të Grand Palais në Paris, të preferuarin e Lagerfeldit.

Për këtë koleksion, Viard, bashkëpunëtore e ngushtë e Lagerfeldit që ndërroi jetë në muajin shkurt, e mbajti të gjallë trashëgiminë e tij si në nivel stili, ashtu dhe në perfomancën në pasarelë, duke prezantuar një linjë plot ngjyra, por edhe kostume bardhë e zi, e fustane të mrekullueshme të gjata me rrudha.

Ishte një pasarelë ku nuk munguan aksesorët, të cilët përfshinin varëset me perla, zinxhirët e rëndë në qafë, byzylykët e plotë që binin menjëherë në sy apo dhe rripat elegantë.

Pjesëmarrësit e përshkruan si një arsenal të vërtetë stilesh, ku me modernen shkrihej hijeshia dhe eleganca karakteristike e Chanel-it.

Disa burime ndërkohë i kishin thënë më parë agjencisë së lajmeve “Reuters”, se Viard ishte e përkohshme në këtë post dhe se një tjetër emër i rëndësishëm mund të caktohet në krye të markës ikonë të krijuar nga Gabrielle “Coco” Chanel në vitin 1910. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.