Obeziteti ndikon në plakjen e trurit

TIRANË, 6 maj /ATSH/ – Në një studim të fundit studiuesit analizuan ndikimin e obezitetit në tru dhe zbuluan se truri i njerëzve obezë është 10 herë më i plakur se moshatarët e tyre me peshë të mesme.

Studimi i botuar në revistën “Neurobiology of Aging”, hetoi trurin e 473 personave nga mosha 20 deri në moshën 87 vjeç, për të parë nëse obeziteti është i lidhur me plakjen e trurit.

Pasi shqyrtuan rast pas rasti, studiuesit vunë re dallime të habitshme në vëllimin e materies së bardhë të trurit tek personat mbipeshë, krahasuar me atë të personave me peshë normale. Tek individët mbipeshë u vu re një reduktim i zgjeruar i shtresës së bardhë në tru, në krahasim me njerëzit e tjerë.

“Meqenëse edhe truri plaket, me kalimin e kohës, ai tkurret në madhësi, por nuk dihet nëse njerëzit mbipeshë kanë reduktim të madh në sasinë e materies së bardhë”, shprehet dr. Lisa Ronan, nga departamenti i Psikiatrisë në Universitetin e Kembrixhit, pas studimit.

Sipas të dhënave të publikuara nga studimi, truri i një personi mbipeshë në moshën 50-vjeçare duket si ai i një personi 60-vjeçar me peshë normale. Studiuesit thanë se duhen bërë më shumë studime për të sqaruar se si ndikon obeziteti në tru. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.