4-mujori 2019, të ardhurat nga tatim fitimi u rritën me 17%

TIRANË, 6 maj /ATSH/ – Reformat në formalizimin e ekonomisë kanë rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti, të ardhurat tatimore kanë qenë përgjithësisht të kënaqshme në terma pozitivë rritje.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur sot se, “vetëm nga tatim-fitimi gjatë 4-mujorit të parë janë mbledhur 17% të ardhura më shume se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.

“Treguesit pozitivë dominojnë në një kohë që qeveria ka lehtësuar tatim fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë duke e zbritur normën e tatim fitimit në 5% nga 15% që ishte më parë”, tha Denaj.

“Ndërsa të ardhurat e pushtetit vendor për tremujorin e parë të 2019-s patën një rritje prej 37,8% krahasuar me tremujorin e parë të 2018”, deklaroi Denaj sot, në konferencën e përbashkët mbajtur në Tiranë, me përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Jan Kess Martijn dhe kreun e BSH-së, Gent Sejko. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.