BERLIN, 5 maj /ATSH/ – Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota, dënoi sot sulmin e ushtrisë izraelite kundër zyrave të agjencisë turke të lajmeve, Anadolu Agency, në Rripin e Gazës duke theksuar se ”siguria e gazetarëve kusht për lirinë e medias”.
”EANA u njoftua sot se zyra në Gaza e anëtares sonë, Anadolu Agency, u dëmtua gjatë një konflikti në këtë rajon.
BBC njoftoi për sulme ajrore izraelite si kundërpërgjigje ndaj raketave të militantëve palestinezë. Zyrat e AA-së u goditën nga një prej këtyre sulmeve ajrore.
EANA e konsideron sigurinë e gazetarëve si kusht për lirinë e medias.
Kështu që EANA kërkon vëmendje speciale për jetën dhe shëndetin e gazetarëve, të cilët kryejnë detyrën e tyre në terren”, përfundon reagimi i EANA-s, bërë në emër të bordit të saj me president Peter Kropsch dhe sekretar të përgjithshëm, Alexandru Giboi.
Ushtria izraelite bombardoi sot ndërtesën ku gjenden edhe zyrat e agjencisë turke të lajmeve, Anadolu Agency (AA) brenda Rripit të Gazës.
Sipas informacioneve të gazetarëve të AA-së nga Gaza, forcat izraelite realizuan të shtëna paralajmëruese në ndërtesën ku gjenden edhe zyrat e saj.
Deri tani nuk ka të dhëna për të plagosur apo viktima./ a.jor.