Rritja e eksporteve dhe zgjerimi i investimeve forcuan pozitat e lekut

TIRANË, 4 maj /ATSH/- Rritja e eksporteve, zgjerimi i investimeve dhe fluksi i lartë i prurjeve nga turizmi forcuan pozitat e monedhës vendase lek, ndaj valutave kryesore euro dhe dollar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, mbiçmimi i Lekut ndaj Euros vijoi me ritme më të ngadalta.
Kjo ecuri reflektoi edhe ndërhyrjet e përkohshme të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Ndërsa në fund të vitit, Euroja tregtohej me rreth 123,4 lekë, nga rreth 125,9 lekë dhe 133 lekë përkatësisht në fund të qershorit 2018 dhe në fund të vitit 2017, duke reflektuar mbiçmim të Lekut ndaj monedhës së përbashkët europiane.
Sipas ekspertëve kjo i adresohet më së shumti zgjerimit të eksporteve, pjesa më e madhe e të cilave eksportohen në vendet e Bashkimit Europian, por edhe të fluksit të turistëve, që vitin e kaluar për shkak të motit të mirë, diktoi një sezon turistik të zgjatur deri në muajin tetor.
Ndërsa kundrejt Dollarit amerikan, Leku u nënçmua, duke reflektuar zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të kursit të këmbimit Euro/Dollar.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, gjatë periudhës, në terma mesatarë Leku është mbiçmuar me 3,3% ndaj Euros dhe është nënçmuar me 1,4% ndaj Dollarit amerikan. Në krahasim me një vit më parë, Leku është mbiçmuar me 6% ndaj Euros dhe me 4% ndaj Dollarit amerikan.
Një valutë e zhvlerësuar do të thotë kosto më e ulët për kreditorët që kanë marrë kredi në këtë valutë dhe rritje të ardhurash për importuesit, por edhe ulje të kostos për borxhin e qeverisë.
Gjithsesi, kursi i këmbimit valutor luhatet brenda pritshmërive të Bankës Qendrore e cila monitoron çdo luhatje të këtij tregu. /e.xh/r.e/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.