BE dhe BERZH, 100 milionë euro mbështetje programit transformues të turizmit në Shqipëri

TIRANË, 4 maj/ATSH-Maela Marini/ Bashkimi Europian dhe Banka për Rindërtim dhe Zhvillim mbështesin me një projekt të përbashkët në vlerën e 100 milionë eurove, programin transformues të Rilindjes Urbane e Rurale, me fokus turizmin në Shkodër, Fier, Berat e Korçë.

Në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti, Kryeministri Edi Rama vlerësoi “mbështetjen e vazhdueshme të BE-së dhe të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim gjatë më shumë se 25 viteve të fundit në Shqipëri”.

“Janë me dhjetra projektet që janë mundësuar në vendin tonë falë mbështetjes financiare të BERZH-it, ashtu sikundër është mëse e vërtetë që projekti që lançojmë sot përbën jo vetëm në shifër 100 milionë euro, por mbi të gjitha në përmbajtjen e vetë, një arsye më shumë për të vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit tonë të BE-së dhe BERZH-it”, tha Rama.

Kjo marrëveshje e re, sipas Kryeministrit, do të shkojë si një mbështetje më shumë për programin tonë transformues të turizmit në Shqipëri”.

“Programi është shprehje kuptimplotë e vlerësimit dhe besimit të këtyre institucioneve tek rruga dhe strategjia e zgjedhur prej nesh, përmes rrugës së Rilindjes Urbane dhe asaj Rurale. Ky projekt do të ishte e pamundur të realizohej përpara se ne t’i jepnim formë programit të Rilindjes Urbane”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi efektet transformuese që kanë sjellë ndërhyrjet e integruara që kanë transformuar këndvështrimin e njerëzve dhe të një komuniteti në raport me vendbanimin e tyre .

Ai u ndal te iniciativat që kanë gjeneruar në të gjitha nivelet këto projekte dhe transformime, duke marrë si shembull Korçën, Beratin dhe Gjirokastrën”. “Por jo vetëm këto qytete. Edhe në qytete të tjera, falë injektimit të dritës dhe optimizmit që kanë prodhuar këto projekte kanë lindur iniciativa transformuese që kanë në bazën e vetë shfrytëzimin e potencialit turistik”, tha Rama.

Kryeministri iu referua fjalëve të Presidentit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH), Suma Chakrabarti, i cili dikur ka thënë se “në kohët sfiduese që po jetojmë, është gjithmonë e më e rëndësishme që vendet kandidate për Bashkimin Europian të vazhdojnë në rrugën e tyre të reformave që i afrojnë gjithmonë e më pranë Europës, për të mirën e të dyja palëve”.

“Faktikisht, kjo shprehje ilustrohet sot edhe nga prania në këtë projekt e palës së Komisionit Europian, që, siç e tha ambasadori, për herë të parë investon një volum kaq të konsiderueshëm parash dhe ia dedikon turizmit”, tha Rama.

Por sipas Kryeministrit, “çështja e transformimit nga një vend kandidat në një vend anëtar është gjithmonë e më shumë e lidhur jo me çfarë bën kandidati, por me çfarë bëjnë anëtarët”.

“Megjithatë, ajo që është më e rëndësishmja në këtë aspekt është që sidoqoftë, mbështetja është e vazhdueshme dhe transformimi është i vazhdueshëm. Sigurimi i vazhdimësisë së këtij transformimi është esencial”, tha Rama.

Rama nënvizoi se programi do të vazhdojë të mbështesë transformimin e Korçës, të Beratit, të Fierit. Po ashtu ai do të nxisë transformimin e Shkodrës, ku projektet prioritare janë të identifikuara dhe lidershipi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që në gjithë këtë proces është një garanci në ndërthurjen e të gjithë komponentëve të projektit.

“Nuk nuk bëhet fjalë për një fond që do të shkojë për një komponent, për infrastrukturën, apo për ujin, apo për diçka tjetër, por bëhet fjalë për një fond që do të shkojë për programe të integruara dhe do t’i bashkëngjitet një harte veprimesh dhe ndërveprimesh të paracaktuara dhe fondeve të tjera, të cilat janë vënë në dispozicion në këtë proces, qoftë nga buxheti i shtetit, qoftë nga Banka Botërore, apo që më hapat në vijim pritet të vihen në dispozicion edhe nga Banka Gjermane për Zhvillim”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm që adreson programi, siç është komponenti i trashëgimisë kulturore.

“Ky është një projekt qendror me një program më të gjerë dhe unë i jam shumë mirënjohës Presidentit të BERZH-it për faktin që në gjithë këtë proces bashkëpunimi, ne, nga BERZH-i nuk kemi përfituar thjesht financime, por kemi përfituar dije, eksperiencë, sugjerimet e duhura në kohën e duhur”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.