Policia e Tiranës plan masash kundër narkotikëve

TIRANË, 29 prill/ATSH/- Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka hartuar një plan masash për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, në lokale apo në afërsi të shkollave. Në këtë kuadër u arrestuan në flagrancë 4 persona, si dhe procedohen në gjendje të lirë 10 shtetas të tjerë.

Sipas njoftimit të policisë, publikuar të hënën, seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve operative që dispononte, në kuadër të goditjes dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve nga personave të ndryshëm që shpërndanin lëndë narkotike, të llojeve “Kokainë”, “Heroinë” dhe “Kanabis”, kanë organizuar kontrolle të befasishme në lokale e ambiente të tjera. Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: Y.P., 19 vjeç, banues në Fushë Mëzez, Tiranë, K. P., 36 vjeç, banues në Fushë Mëzez, Tiranë. Janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetas për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Shtetasve Y. P. dhe K. P., iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11,1 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë, 1 peshore elektronike dhe një pjatë me mbetje të lëndës narkotike.

Gjithashtu është kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasi H. A., 24 vjeç, banues në Tiranë, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetas të tjerë për veprën penale “Moskallëzimi i krimi”, pasi këta shtetas qarkullonin me automjet dhe pasi janë ndaluar, nga kontrolli fizik që është ushtruar mbi shtetasin H. A., Policia gjeti një sasi prej 3,6 gram lëndë narkotike të dyshuar si “Kokainë”.

Po në kuadër të kontrolleve është kapur në flagrancë shtetasi D. S., 19 vjeç, me banim në Tiranë, si dhe është proceduar në gjendje të lirë një shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Këta shtetas po udhëtonin me automjet dhe pasi janë ndaluar, nga kontrolli fizik i ushtruar mbi shtetasin D. S., Policia ka gjetur një sasi lënde narkotike të dyshuar si “Cannabis Sativa” të ndare në doza të vogla.

Në vijim të kontrolleve janë kapur dhe proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, 40 e 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik u janë gjetur 2 shiringa me lëndë narkotike të dyshuar “Heroinë”, disa substanca te tjera të cilat janë dërguar për ekspertim te mëtejshëm.

Po në kuadër të kontrolleve janë proceduar në gjendje të lirë edhe 2 shtetas 19 – vjeçar dhe një 25 vjeçar, pasi janë gjetur me doza lënde narkotike të dyshuar si “Canabis sativa”. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.