FOTOGALERI/ Vlora, perla e rivierës shqiptare atraksioni i fundjavës

TIRANË, 29 prill/ATSH/- Qyteti bregdetar i Vlorës, i cilësuar si perla e rivierës shqiptare, të mahnit me bukurinë e tij, sidomos në stinën e pranverës dhe verës, ku rrugët dhe pikat turistike të tij mbushen me njerëz.

Një qytet me atraksione të shumta kulturore dhe historike, Vlora me detin e saj të mrekullueshëm ftoi këtë fundjavë që lamë pas vizitorë të shumtë të kalonin momente të papërsëritshme relaksi dhe qetësie.

Qytetarë të shumtë shijuan të dielën me diell në bregun e Lungomares, ditë kur besimtarët ortodoksë festuan edhe Pashkët, ditën e ringjalljes së Krishtit.

I konceptuar si një hapësirë ku alternohen 3 lloje lëvizjesh, ajo me automjete, me biçikleta, si dhe pedonalja, në Lungomare qytetarët gjejnë vetveten, në varësi të dëshirave të tyre.
Por, ka nga ata që kanë zgjedhur si destinacion të tyre edhe vizitat në pikat turistike të qytetit, ose në lokalet pranë bregdetit.

Në disa fotografi të publikuara bashkia e Vlorës na sjell momente nga fundjava e qytetarëve vlonjatë, por edhe e vizitorëve nga qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë tij.

Por edhe ura ekologjike e ndërtuar në ishullin e Zvërnecit ka bërë që ky ishull të kthehet në një destinacion artistik dhe i frekuentueshëm për të gjithë këmbësorët e interesuar.

Në Vlorë edhe perëndimi i diellit mbi detin e kaltër është një spektakël që nuk duhet humbur.

Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.