Bulevardi “Ismail Qemali”, hapësira më e re turistike e Vlorës

TIRANE, 29 prill/ATSH/- Në qytetin e Vlorës, punimet për rikualifikimin e bulevardit “Ismail Qemali”, janë drejt fundit ku dominon gjelbërimi dhe mjediset çlodhëse dhe argëtuese.

Gurët e përdorur për shtrimin e bulevardit “Ismail Qemali” në Vlorë janë me origjinë nga zonat e Vlorës, Beratit dhe Lezhës.

Ideja që përshkon të gjithë konceptin e projektit për bulevardin është forcimi i identitetit kombëtar dhe për këtë arsye materialet e ndërtimit janë përzgjedhur me origjinë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga bulevardi i ri i qytetit bregdetare. “MIRËMËNGJES, dhe me këtë pamje të mbrëmjes së djeshme nga Vlora, mbi bulevardin e ri të qytetit ku po kryhen punimet e fundit, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama.

Bulevardi “Ismail Qemali” do të lidhë monumentet historikë dhe kulturorë të Vlorës, që sot janë të ndarë dhe të palidhur për të krijuar një bërthamë kulturore.

Sipërfaqja që do të trajtohet është 75,000 metra katrorë nga të cilat 8,000 metra katrorë janë sheshe, 11,000 metra katrorë sipërfaqe parkimi për makina, biçikleta dhe 6 hapësira të reja për aktivitete publike. Gjelbërimi është një komponent i rëndësishëm i projektit, i cili parashikon mbjelljen e 15 llojeve të bimëve (pemë dhe ligustra), si dhe luleve tipike të zonës në një sipërfaqe totale prej 7,450 metrash katrorë.

Projekti parashikon reduktimin e korsive të trafikut nga 2 në 1, zhvillimin e një pedonaleje përgjatë të gjithë bulevardit dhe 5 kalime të sigurta për këmbësorët. Bulevardi transformohet në një atraksion të shtuar turistik për qytetin, ndërkohë që qarkullimi i makinave do të lehtësohet nëpërmjet lidhjes me “Transballkaniken” dhe Unazën e Re.

Pas ndërtimit të shëtitores përgjatë bregdetit “Lungomare”, e cila i dha strukturë moderne qytetit, projekti për rikonstruksionin e bulevardit “Ismail Qemali” e transformon atë në shtyllën kurrizore të identitetit të Vlorës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.