Reforma zgjedhore, Kuvendi miraton me 90 vota ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar

TIRANE, 25 prill/ATSH/- Në drejtimin e Kryetarit, Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare dhe miratoi dy raporte, një projektligj dhe dy projektvendime.

Në fillim të seancës, Ruçi, bëri me dije disa projektligje të depozituara në Kuvend, nga Këshilli i Ministrave.

Seanca vijoi me betimin e deputetëve të rinj të opozitës, Eugen Bojaxhi, Andi Përmeti, znj. Fatjona Koço, Artur Rroshi, Nikolin Staka, Zef Shtjefni, të cilët pas marrjes së mandateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bënë betimin. Ndërsa, Erjon Piciri, nuk ishte prezent në seancën plenare. Ai pritet të betohet në seancën e ardhshme.

Më tej, në seancë u paraqitën, Raporti i Veprimtarisë Vjetore të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), për vitin 2018, nga kryetari i KDRTSH-së, Kristaq Traja, i cili u miratua me 82 vota pro, 4 kundër, 2 abstenim, si edhe Raporti i Veprimtarisë Vjetore të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, për vitin 2018, nga kryetarja e këtij institucioni Pranvera Strakosha, i cili u miratua me 82 vota pro, 6 kundër, 4 abstenim.

Në lidhje me projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, u shpreh z. Alket Hyseni, i cili tha se, “pas një pune të gjatë sollëm një produkt cilësor”. Ky ligj, theksoi Hyseni, sjell një oficer policie gjyqësor më të kualifikuar, më të strukturuar, me garanci procedurale më të lartë. Sipas tij, me këtë ligj do të kemi një prokuror me kompetenca të qarta të kontrollit të hetimit, ndërveprimit të punës me oficerët e policisë gjyqësorë, të të gjitha shërbimeve, të institucioneve të ndryshme dhe do të sjellë një hetim penal më cilësor. Ky projektligj u miratua me 90 vota pro, 3 kundër, 1 abstenim.

Seanca miratoi edhe dy projektvendime “Për caktimin e znj. Aurora Mara anëtare e nënkomisionit “Për të Drejtat e Njeriut”, me 86 vota pro, 2 abstenim dhe projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore”, të ndryshuar, me 90 vota pro, 1 kundër, 1 abstenim. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.