BE – Një film për të bindur të rinjtë që të votojnë për Europën

BRUKSEL, 25 prill /ATSH-ANSA/ – Vetëm një muaj nga zgjedhjet Europiane, Parlamenti Europian ka publikuar një film për të inkurajuar qytetarët të shkojnë të votojnë.

Ky film me metrazh të shkurtër me një titull tërheqës “Zgjidh të ardhmen tënde”, synon të përfshijë dhe të ndërgjegjësojë brezat e rinj se duhet të jetojnë në vitet në vijim me rezultatin e zgjedhjeve të tyre.

Ky film, me regjisor Frederic Planchon, tregohet nga një vajzë e vogël që i bën thirrje ndjenjës së përgjegjësisë së votuesve.

“Secili prej nesh mund të lerë një shenjë, por së bashku mund të bëjmë diferencën. Zgjidh Europën ku kërkon të rritesh”, thuhet në film.

Zgjedhjet europiane që do të zhvillohen në të gjitha vendet e BE-së mes datave 23-26 maj dhe do të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të Bashkimit Europian.

Mes të rinjve në moshë për të votuar vetëm 21% ishin të sigurt që do të shkonin të votonin, ndërsa 34% nuk kishin marrë ende një vendim.

Filmi, “Zgjidh të ardhmen tënde” do të publikohet në internet në të gjitha vendet anëtare duke filluar nga sot, 25 prill. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.