Reflektime në programet e trajnimit që do të ofrohen nga Shkolla e Drejtorëve

TIRANË, 24 prill /ATSH/- Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë organizuan aktivitetin mbi “Rezultatet e Studimit për Vlerësimin e Nevojave të Drejtuesve të IAPU”. Qëllimi i aktivitetit është prezantimi i rezultateve dhe rekomandimeve të studimit të kryer, si dhe reflektimi i tyre në programet e trajnimit që do të ofrohen nga Shkolla e Drejtorëve.

Të jesh drejtues në një institucion të arsimit parauniversitar nuk mjafton të kesh diplomë apo eksperiencë. Të gjithë ata që do të drejtojnë këto institucione duhet të certifikohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore pas trajnimeve përkatëse në Shkollën e Drejtorëve, e më pas të monitorohen vazhdimisht se sa i respektojnë standardet në drejtimin e institucionit.

Dorjana Matraku, Shefja e Ekzekutive e Shkollës së Drejtorëve u shpreh se “ne shpresojmë që grupi i parë i të trajnuarve të nisë në fund të vitit, në muajin nëntor. Mbas këtij procesi trajnimi do të ketë dhe një proces certifikimi, për të cilën ne do të bashkëpunojmë shumë ngushtë me qendrën e shërbimeve arsimore për klimë sa më të mire të këtij procesi të certifikimit. Më pas drejtuesit tanë do të performojnë në shkollat përkatëse dhe më pas do të kemi akoma dhe më shumë ndihmë për Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, ku do të kemi supervisor të këtyre drejtueseve për ndjekjen e performancës së tyre. Jemi përpjekur me të gjitha burimet tona financiare, njerëzore kapacitetet për të kryer një studim të mirëfilltë, i cili do të lërë gjurmë në ecurinë  e vazhdimësinë e sistemi tone arsimor të edukimit. Hapat e mëtejshme që ne do të marrim është ajo e ndërtimit të një kurikul trajnimi, drejtuesit aktualë dhe ata që aspirojnë për t’u bërë drejtor në të ardhmen, duhet të ndjekin një kurikul trajnimi, e cila duhet të jetë e bazuar në këto gjetje dhe rekomandime”, theksoi ajo.

Në kuadër të rritjes së cilësisë së drejtimit të institucioneve të arsimit parauniversitar është zhvilluar edhe një studim i mbështetur nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i zhvillimit dhe nga Ministria e Arsimit për të parë se cilat janë nevojat ku mund të ndërhyrjet. Vendimi për “Organizimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” i cili është ngritur në shtator të 2018-ës nga Ministria e Arsimit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, synon rritjen e përformancës në drejtimin e shkollave të arsimit parauniversitar në vend.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.