PS mbledh kryesinë për zgjedhjet, Spiropali: Garantojmë procesin, PD la në rrugë zgjedhësit

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Partia Socialiste mblodhi sot Kryesinë ku për rreth 4 orë diskutoi mbi përgatitjet për zgjedhjet vendore.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes, Zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali, njëkohësisht ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin deklaroi se “PS është e vendosur të garantojë një proces zgjedhor për shqiptarët dhe me shqiptarët”.

E pyetur mbi vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje, Spiropali tha se “ne nuk do të shkojmë në zgjedhje pa opozitën, pasi ata nuk janë opozita e vendit, por disa parti politike që kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në sistem”.

“Nuk ka qenë zgjedhja, kërkesa dhe as dëshira jonë që PD apo LSI të mos jenë pjesë e procesit zgjedhor. Ato vendimin e kanë marrë prej frikës dhe arsyeve të tyre dhe jo të tonat. Arsyeja jonë dhe e gjithë shqiptarëve është që të ketë zgjedhje në 30 qershor për kryetarët e bashkive”, – tha Spiropali.

Ajo u shpreh se “ne nuk jemi këtu për të negociuar për të vendosur datën e zgjedhjeve, pasi ajo është çështje kushtetuese”. “Ne jemi forcë politike që i përgjigjemi kësaj thirrje për t’u zgjedhur”, – tha Spiropali.

Ajo nënvizoi se janë 42 parti politike që janë regjistruar në zgjedhje ku shumë prej këtyre partive do të jenë në koalicion me PS, të tjerat në koalicionin përballë dhe do zgjedhin të kenë kandidatët e tyre”.

“Ne nuk do të marrim pjesë në luftë, por në zgjedhje dhe shpresojmë që asnjë forcë apo asnjë kryetar të partive politike nuk e ka lënë mendja që të pengojë shqiptarët të votojnë, duke përmbushur rendin kushtetues dhe duke ua hequr shqiptarëve të drejtën për të votuar”, – tha Spriopali, duke siguruar se çdo akt dhune është i papranueshëm.

Sipas saj “nuk është fare e moralshme dhe është një trup që PD ka zgjedhur t’i lërë në rrugë zgjedhësit e saj, duke djegur mandatet dhe duke mos u futur në zgjedhje”.

“Është hera e parë në botë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që disa parti politike të mblidhen dhe të vendosin të mos hynë në zgjedhje, dhe këtë ta konsiderojnë fitore”, – tha Spiropali.

Duke u ndalur te përgatitjet e PS për zgjedhjet vendore, ajo tha se “jemi duke punuar dhe shumë shpejt në bazë të afateve që jep edhe Kodi, brenda datës 13 maj, do të përcaktojmë koalicionin dhe do të zgjedhim kandidatët”.

“Ne do të bëjmë përzgjedhjet më të mira, kemi shumë kandidatë dhe do të zgjedhim mbi bazë të kontributit që kanë, votave dhe CV të pastra duke iu ofruar shqiptarëve zgjedhjet më të mira për bashkitë”, – tha ajo.

Ndërkohë, Spiropali komentoi edhe vendimin e opozitës për zhvillimin e protestave ditën e nesërme.

“Është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të opozitës për të tensionuar klimën në vend, për të sjellë destabilitet dhe për ta kthyer Shqipërinë shumë pas. Ne duam ta çojmë vendin para dhe nuk do të çedojmë, por do ta bëjmë këtë duke vendosur ligj dhe duke garantuar një proces zgjedhor që e çon Shqipërinë më pranë standardeve europiane. Ne do të hyjmë në zgjedhje. Pjesëmarrja dhe kontributi i qytetarëve varet nga oferta politike dhe ne e ofrojmë maksimale, dhe i garantojmë zgjedhjet më të mira”, – tha Spiropali.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.