Mjetet retro, hera e parë që shteti shqiptar adreson në mënyrë të plotë problematikën

TIRANË, 24 prill/ATSH-Maela Marini/ “Është hera e parë që Shteti Shqiptar adreson në mënyrë të plotë e të gjithanshme të gjitha nevojat që kanë të apasionuarit pas makinave historike ose retro”, tha sot Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe.

Të gjithë kureshtarët apo të interesuarit për ta pasur një mjet të tillë në garazhin e tyre, patën mundësi sot të shohin të ekspozuara para ambienteve të Kryeministrisë 40 mjete që vijnë nga e kaluara.

“Kjo ishte një ditë ku një komunitet në dukje i vogël, një sektor si ai i mjeteve dhe pasurive historike, mjeteve të vjetra në Shqipëri u adresua si një komunitet me të gjithë problematikën e vetë. Ne kemi një muaj që punojmë për të gjithë aspektet ligjore, aktet nënligjore, draftet eksperiencat më të mira në rajon, që t’i japim zgjidhje një problematike të gjithë tranzicionit të një grupi interesi si ky, shumë interesant, që ka potencial biznesi investimi, edukimi, identiteti, zhvillimi ekonomik dhe përkatësie nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore që në fakt është edhe trashëgimi europiane”, – tha Gonxhe për ERTV-në.

Koleksionistët e tyre kërkuan që të bëhet e mundur që këto makina të qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë me targa dhe brenda të gjitha rregullave.

“Kam 12 mjete dhe gjëja kryesore që ato kanë është se nuk janë aktive. Është dokumentacioni i prapambetur ndër vite prej pagesës së lartë të taksave. Kjo zgjidhje pritet për koleksionistët në përgjithësi”, tha njëri prej tyre.

Duke prezantuar një mjet me vjetërsi 50-vjeçare, një tjetër koleksionist tha se “ky eveniment na ka ndihmuar shumë ta ngrejmë zërin”. “E falënderoj kryeministrin për mundësinë që na dha ne koleksionistëve. Kam 40 mjete të tilla të na ndihmojë të gjejmë mundësi të qarkullojmë dhe mjetet të mos prishen”, tha ai.

Një tjetër koleksionist u shpreh se “mjetet i ka marrë në Amerikë dhe të gjitha makinat duan lehtësi për çështjen e targave”. “Të na pajisin me targa antike se unë kam 13 makina dhe nuk i përballoj dot me taksa”, tha ai.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.