Mbi 600 zyrtarë të larguar, Rama: Nuk ishin të denjë në shërbimin ndaj qytetarëve

TIRANË, 24 prill /ATSH/ – Mbi 600 zyrtarë, që nga nëpunës të nivelit të zyrave të kontakteve me qytetarët, deri tek drejtuesit janë larguar pikërisht se nuk kanë qenë të denjë në shërbimin ndaj qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot takimin e përjavshëm të platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët, të cilët tregojnë eksperiencën e tyre rreth problematikave të hasura në administratën shtetërore dhe gjetjen e zgjidhjes nëpërmjet platformës së “Bashkëqeverisjes”.

Rama e cilësoi platformën e bashkëqeverisjes si mikun më të madh të çdo qytetari.

“Për fat të keq është e vërtetë. Shumë njerëz që janë në vijën e parë të kontaktit me qytetarin, sillen në mënyrë të padenjë. Ky mekanizëm ka shërbyer edhe për të evidentuar ata që shkelin. Janë ndëshkuar mbi 600 individë që nga nëpunës të nivelit të zyrave të kontakteve me qytetarët, deri tek drejtues të këtyre zyrave, të cilët janë larguar, sepse nuk kanë qenë të denjë për shërbimin ndaj qytetarëve”, tha Kreu i Ekzekutivit.

“Nga rezultatet e punës së matshme me statistikat që dalin nga raportet me ankesat ka një përmirësim që ndjehet në shërbimet publike dhe kjo i dedikohet, jo vetëm reformave që vijojnë përmes shërbimeve, por edhe presionit që vjen nga bashkëqeverisja me njerëzit që falë kësaj platforme zërin e tyre e çojnë deri në qeveri. Dhe problemi gjen zgjidhje”, u shpreh Kryeministri.

Kjo do të thotë, theksoi Rama, “që zëri i qytetarit sot ka vlerë, dëgjohet, është shtysë për qeverinë që të reagojë përkrah tij. Është qeveria miku më i madh i çdo individi që i drejtohet asaj përmes platformës. Nuk ka mik më të madh”.

/gj.mima/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.