Mbështetja e punonjësve për mbrojtjen e fëmijëve, krijohet Koalicioni Kombëtar

TIRANË, 24 prill /ATSH/ – Krijohet Koalicioni Kombëtar për Mbështetjen e Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Sot në Tiranë, në takimin e parë u mblodhën mbi 150 punonjës për mbrojtjen e fëmijëve dhe drejtorë të Shërbimeve Sociale nga të 61 bashkitë e vendit, ku u krijua Koalicioni Kombëtar për Mbështetjen e Punonjësve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Prezenca e OSBE-së u bë pjesë e grupit organizues të kësaj konference kombëtare, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, UNICEF Albania, Save the Children, World Vision dhe Terre des hommes.

Zëvendëskryetari i Prezencës, Robert Wilton, e përshëndeti takimin dhe theksoi se punonjësit e mbrojtjes së fëmijës kanë rolin kryesor në eksplorimin e zgjidhjeve afatgjata më të përshtatshme për secilin fëmijë.

“Por, sikurse e dimë, zgjidhjet kërkojnë burime dhe buxhete. Ne mbetemi shpresëplotë se përparësia që u jepet fëmijëve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre të reflektohet në buxhete të mjaftueshme nga qeveria qendrore dhe vendore. Ne presim të shohim miratimin përfundimtar dhe përcaktimin e buxhetit të duhur të Planit Kombëtar të Veprimit për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Shfrytëzimi Ekonomik, të cilin ia kemi dorëzuar së fundmi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, tha Wilton.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.