Investimet në shëndetësi përmirësuan ndjeshëm shërbimet për qytetarët

TIRANË, 24 prill/ATSH/ – Investimet në infrastrukturën shëndetësore kanë reduktuar kohën e pritjes për pacientet, si dhe kanë ofruar shërbime më të mira për ta.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh gjatë një interviste televizive se spitalet publike po ofrojnë të njëjtat kushte ashtu sikurse privati, duke nënvizuar se investimet në sallat e kirurgjisë kanë reduktuar me 30% infeksionet post operacionale.

“Spitali publik po ofron të njëjtat kushte si privati. Jemi duke investuar për spitalin kirurgjikal në QSUT. Janë ulur me 30% infeksionet për post operacionet. Është reduktuar koha e qëndrimit të pacientit në spital, falë investimeve. Prej vitesh jam e dedikuar për të ndihmuar këdo fëmijë që më kontakton për të gjetur një zgjidhje. Kemi disa marrëveshje me disa vende, ku përfitojnë fëmijë dhe të rritur, të cilët trajtohen për procedura që nuk realizohen në vendin tonë. Kemi marrëveshje me një spital në Greqi, që trajton leuçeminë. Ministrja theksoi gjithashtu se po vlerësohet së bashku me Bankën Botërore skema për personat me aftësi të kufizuara.

“Po vlerësojmë bashkë me Bankën Botërore skemën për personat me aftësi të kufizuar, për të vlerësuar këtë skemë. Me vlerësimin e ri, do të behet vlerësim biopsikosocial”, – përfundoi Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dyfishuar bonusin për mjekët që shkojnë të punojnë në rrethe, duke e çuar atë në 2.5 milionë lekë duke përfshirë këtu edhe pagën e tyre. Janë 20 mjekë që janë atashuar pranë spitaleve rajonale në të gjithë vendin.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.