FOTO/ Makinat retro, Gonxhe: Pas 29 vjetësh, lehtësi për qarkullimin e tyre

TIRANË, 24 prill /ATSH-A.ALLA/ – Të apasionuarit pas makinave historike ose retro, por edhe për të gjithë kureshtarët apo të interesuarit për ta pasur një të tillë në garazhin e tyre, patën mundësi sot të shohin të ekspozuara para ambienteve të Kryeministrisë 40 mjete që vijnë nga e kaluara.

Këto mjete të ruajtura me fanatizëm nga pronarët e tyre që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në periudhën e komunizmit u ekspozuan për vizitorët si një trashëgimi historike e cila tashmë doli në pah pas shpluhurosjes së tyre.

Duke filluar që nga sot projekti ”Retro” si bashkëpunim i Drejtorisë së Përgjithshme së Shërbimeve të Transportit Rrugor me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të mundur që këto makina të qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë me targa dhe brenda të gjitha rregullave, pasi ky aktivitet ku u zhvilluan edhe workshope, bën të mundur  përmirësimin e akteve ligjore për këto mjete me interes historik dhe koleksionimi.

Gjatë një prononcimi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe u shpreh se, “ky projekt sjell për herë të parë një formalizim dhe rregullim të sektorit të automotove historike dhe me interes koleksioni i cili deri tani në këto 29 vjet tranzicion ka qenë i lënë pas dore. Pra zgjidhim nga pikëpamja ligjore regjistrimin, formalizimin, lehtësimin nga ana fiskale për qarkullimin për këto mjete. Këto 40 mjete vijnë nga gjithë Shqipëria, Kosova dhe Italia nga të apasionuarit për këto makina historike”.

Tashmë këto makina historike do lëvizin kudo nëpër qytetet e vendit tonë, ku vizitorët dhe të apasionuarit pas këtyre mjeteve do të kenë mundësi të shijojnë këto mjete me histori të cilat të kthejnë pas në kohë.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.