FOTO/ E bllokuar nga dëbora, hapet pas 40 ditësh punë rruga drejt Thethit

TIRANË, 24 prill/ATSH/ – Turistët vendas e të huaj që dëshirojnë të vizitojnë Parkun Kombëtar të Thethit në këto ditë pranvere mund të drejtohen drejt tij që prej ditës së sotme.

Segmenti rrugor prej 16 kilometrash, nga Qafë-Thore deri në qendër të Thethit, e bllokuar nga dëbora prej katër muajsh u arrit të hapej gjatë ditës së sotme pas 40 ditësh punë.

Drejtori i Zonave të Mbrojtura në Shkodër, Agim Dardha, tha sot për ATSH-në se “rruga drejt Thethit, me gjatësi 16 km, është hapur ditën e sotme nga dëbora pas 40 ditësh punë dhe në të mund të kalojnë vetëm mjetet e larta”.

“Për hapjen e rrugës kanë punuar 2 mjete të bashkisë së Shkodrës, ndërsa aktualisht po punon një mjet privat”, – theksoi Dardha.

Sipas tij, trashësia e dëborës në këtë zonë arrin nga 2-3 m.

“Hapja e këtij aksi ndikon edhe në çeljen e hershme të sezonit turistik në Theth, si dhe lehtësimin e komunikimit të banorëve me pjesën tjetër të territorit të bashkisë së Shkodrës”, nënvizoi Dardha.

Tani është prag sezoni kur turistët e natyrës dhe të aventurës presin të ngjiten drejt Thethit, një nga më të vizituarit për bukuritë natyrore.

Parku Kombëtar i Thethit, i ndodhur mes Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, tashmë është shndërruar në një panoramë mahnitëse ku bardhësia e dëborës ndërthuret me natyrën e egër alpine. Vizitorët në këtë park mund të shijojnë peizazhin e mrekullueshëm si dhe të eksplorojnë shtigjet interesante që janë atraktive për turistët e aventurës.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. /k.s/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.