Vendimi i parlamentit holandez, nuk pasqyron të vërtetën për Shqipërinë

TIRANË, 23 prill/ATSH/- Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj  deklaroi mbrëmjen e së martës se vendimi i parlamentit holandez për heqjen e vizave për Shqipërinë “duhet të interpretohet nga këndvështrimi politik para së gjithash”, duke vënë në dukje se “është një moment elektoral i dyfishtë”.

“Zgjedhjet e fundit të vendit dhe rajonale në Holandë, kanë prodhuar një rritje të populizmit, nacionalizmit përjashtues dhe politikave konservative në përgjithësi, dhe kjo po ashtu manifestohet edhe në numrat e parlamentit holandez, – tha Cakaj duke shtuar se, – ka një rritje të populizmit, euroskepticizmit dhe politikave përjashtuese antiemigracion në përgjithësi në Holandë. Përmbi këtë, jemi edhe në një moment elektoral që karakterizon aktualisht Europën dhe po ashtu kjo vendimmarrje lidhet drejtpërdrejt me një fushatë elektorale që është duke u zhvilluar”.

Cakaj deklaroi se “ky vendim nuk pasqyron të vërtetën për Shqipërinë, dhe këtë nuk e them unë, por ministri i Çështjeve të Sigurisë dhe të Drejtësisë të Holandës, pikërisht në seancën kur është mbajtur votimi për këtë çështje”.

Ministri në Detyrë vuri në dukje se janë 5 kritere teknike për tërheqjen e vizave për një shtet.

“Kriteri i parë, rritja e qëndrueshme e imigracionit të parregullt mbi 50% dhe që në rastin e Shqipërisë është kriter që nuk përmbushet; kriteri i dytë, është rritja e qëndrueshme sërish mbi 50% e kërkesave për azil, që në rastin e Shqipërisë nuk përmbushet; kriteri i tretë, është përbërja e një rreziku substancial për sigurinë kombëtare ose publike të vendeve anëtare, që për Shqipërinë nuk përmbushet; kriteri i katërt, është prapakthimi në bashkëpunimin për çështjet të kthimit, që po ashtu në rastin e Shqipërisë nuk përmbushet dhe kriteri i pestë, prapakthimi në përmbushjen e kritereve të nevojshme për liberalizimin e vizave, që është diçka që verifikohet nga KE, i cili në dhjetor të 2018 ka konstatuar se Shqipëria i përmbush të gjitha kushtet teknike”.

Kjo tregon, shtoi ai, se kemi një shpërputhje midis objektivitetit teknik dhe fushatave politike elektorale. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.