Sherri i lojtarëve tek “Manchester United”, Pogba: Nuk respektuam veten

TIRANË, 23 prill /ATSH/ – Lojtarët e “Manchester United” janë përplasur me njëri-tjetrin në dhomat e zhveshjes, të zemëruar pas humbjes poshtëruese 4-0 në fushën e “Evertonin”.

Lajmi është zbuluar nga “Daily Mail”, që tregon më në detaje atë që ndodhi në “Goodison Park”.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer e mbajti ekipin e tij në dhomën e veshjes për më shumë se gjysmë ore pas përfundimit të takimit, përpara se publikisht t’u kërkonte falje tifozëve për performancën e dobët.

Mësohet se lojtarët akuzuan njëri-tjetrin dhe debatuan ashpër me zë të lartë, aq sa zhurma e krijuar mund të dëgjohej në korridor.

“Ne lamë trajnerin që të fliste, ai tha të vërtetën, – deklaroi Paul Pogba të hënën në mbrëmje. – Ne nuk e respektuam veten, klubin apo tifozët. Ajo që bëmë në fushë nuk është e respektueshme për shokët e ekipit, për stafin, për punëtorin që na jep uniformat… Nuk u dhamë gëzimin që meritonin dhe kjo është arsyeja pse jemi të zemëruar me veten. Ne duam të bëjmë më mirë dhe reagimi duhet të jetë atje, në fushë.”

Trajneri norvegjez la të kuptohej në konferencën për shtyp pas disfatës me “Evertonin” se shumë nga lojtarët aktualë do të largohen në fund të sezonit. Kritikave nuk u kanë shpëtuar edhe “yjet” e skuadrës, ndër të cilët edhe Paul Pogba, ndërsa në ambienti i “Djajve të Kuq” ka nisur të turbullohet nga ideja se mund të përsëritet situata e përjetuar me Jose Mourinhon, më rënie të theksuar të rendimentit në këtë fund sezoni, kur kërkohen me çdo kusht rezultatet për zonën Champions. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.