Spitali i Elbasanit: 25-vjeçarja mori trajtimin e duhur, pësoi komplikacione

TIRANË, 22 prill /ATSH/- Qendra spitalore e Elbasanit informon, në lidhje me humbjen e jetës së një gruaje 25-vjeçare 1 orë pas lindjes, se stafi i mjekëve ka dhënë trajtimin e duhur mjekësor, por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator trombemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën.

Në një deklaratë për shtyp të hënën pasdite, spitali i Elbasanit bën të ditur se, “pacientja R. D. u paraqit në spital më datë 22.04.2019 në orën 10:25 paradite. Pacientja ka ardhur me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42-javëshe dhe është futur në sallë, ku mjekët asistuan lindjen e fëmijës, i cili erdhi në jetë në orën 11:50”.

Foshnja u reanimua dhe gëzon shëndet të mirë, njofton Spitali i Elbasanit.

Ndërsa thekson se, “stafi mjekësor ka dhënë trajtimin e duhur mjekësor, por nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperator trombemboli pulmonare, e papajtueshme me jetën. Aktualisht priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për shkakun e vdekjes së nënës”. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.