Rriten shkëmbimet tregtare me Zvicrën

TIRANË, 22 prill /ATSH/- Shqipëria dhe Zvicra shënuan rritje të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare mes tyre gjatë muajit mars 2019.

Instituti i Statistikave bëri të ditur se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, eksportet shqiptare drejt Zvicrës u rritën me 74 milionë lekë.

Ndërsa në analizën e tre muajve të parë të vitit, eksportet me Zvicrën thuajse mbeten në të njëjtat nivele sa në të njëjtën periudhë një vit më parë, në vlerën prej 507 milionë lekë.

Sipas INSTAT, përsa i takon importeve vlera e shitjeve të produkteve ka shënuar vlerën 625 milionë lekë në muaj mars 2018 kundrejt 803 milionë lekë gjatë marsit të këtij viti, me një diferencë prej 178 milionë lekësh.
Ndërsa në rang tre mujori rritja krahasuar me vitin e kaluar arrin vlerën e 1 miliard e 334 milionë lekësh.

Shqipëria eksporton më së shumti në Zvicër, prodhimeve bujqësore, materiale ndërtimi dhe metale. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.