“Bindja Demokratike”, forca e re politike nga radhët e PD-së, pritet regjistrimi në Gjykatë

TIRANË, 22 prill /ATSH/ – Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi zhvilloi sot pasdite një takim me ish-eksponentë të tjerë të kësaj partie për konstituimin e një force të re politike, që pritet të mbajë emrin “Bindja Demokratike”.

Në një prononcim të shkurtër për mediet e pranishme, pas takimit Patozi, nuk dha detaje.

“Nuk kemi as ndonjë gjë për të fshehur, por as për të ndarë me ju në këto momente. Ju falënderoj për interesin e jashtëzakonshëm që keni treguar për këtë takim, por gjithçka do ta merrni vesh nesër”, deklaroi Patozi.

Sot rreth orës 19:00, Patozi mblodhi në një takim të larguar të tjerë nga radhët e Partisë Demokratike me synim konstituimin e forcës së re politike.

Pritet që partia “Bindja Demokratike” të regjistrohet nesër në Gjykatën e Tiranës si forcë politike dhe më pas vendimi kalon në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet  vendore të 30 qershorit.

Sot paradit ishte deputetja e Partisë Demokratike në Kuvend, Rudina Hajdari e cila deklaroi domosdoshmërinë e krijimit të një force të re politike.

Por, deputeti tjetër i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi i ftuar në një studio televizive deklaroi se shtatë deputetët që nuk kanë djegur mandatet nuk do të jenë pjesë e partisë së re të krijuar nga demokratët e larguar më herët nga PD-ja./  /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.