Meta: Ngjarjet në Sri Lanka, shokuese dhe mizore

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Presidenti Ilir Meta dënoi sot aktin terrorist në Sri Lanka, ku humbën jetën të patën 185 persona.

Meta e konsideroi shokuese këtë ngjarje, kur në ditën e Pashkëve, besimtarë të krishterë të pafajshëm janë sulmuar nga terroristë mizorë që përdorin besimin fetar për axhendat e tyre politike.

“Një lajm shumë i keq dhe shokues na vjen nga Sri Lanka. Në ditën e Pashkëve, besimtarë të krishterë të pafajshëm janë sulmuar nga terroristë mizorë të cilët përdorin besimin fetar për axhendat e tyre politike. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave dhe të lënduarve”, u shpreh Presidenti.

Të paktën 185 persona, përfshirë 12 të huaj, humbën jetën pas shpërthimeve në tre kisha dhe tre hotele në Sri Lanka.

Gazeta zyrtare srilankeze “Daily News” njoftoi se 185 persona kanë humbur jetën dhe mbi 500 të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimeve në kishat Kochchikade, Negombo dhe Batticaloa gjatë ceremonive të pashkëve dhe në hotelet ”Shangri La”, ”Cinnamon Grand” dhe ”Kingsbury” në kryeqytetin Kolombo.

/m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.