Elbasan/ 600 fermerë përfituan nga skemat lehtësuese të AZHBR-së në 2018-ën

TIRANË, 21 prill/ATSH/  Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një takim sot me fermerët e Elbasanit lidhur me aplikimet për përfitimin e subvencioneve në bujqësi.

Balla siguroi fermerët për efikasitetin e skemës dhe reduktimin e burrokracirave dhe kërkoi prej tyre denoncimin e çdo rasti kur punonjësit kërkojnë rryshfet për të ndihmuar gjatë procesit të subvencionit.

“Arsyeja pse ju kemi mbledhur bashkë, fermerë dhe punonjës shteti është sepse këta duhet të jenë avokatët tuaj, t’ju shërbejnë që tek grumbullimi i dokumentacionit e deri tek marrja e pagesës. Pres sot të drejtoni edhe gishtin e të më thoni që, ky punonjës më ndihmoi të bëja dokumentacionin, por më kërkoi 10 apo 20%, siç ka qenë para dy viteve. Dhe një punonjës i tillë jo vetëm do të hiqet nga Administrata e Shtetit, por do të çohet për ndjekje penale”, – u shpreh ai.

Deputeti theksoi se “viti 2018 ishte eksperienca e parë e një ndryshimi rrënjësor. Historia e AZHBR-së ka qenë një histori e zezë, e errët, ku buxheti i vitit 2017 i të gjithë AZHBR-së shkoi në një qark të vetëm. Unë jam i qetë kur informohen sot që janë rreth 500-600 fermerë të Elbasanit që janë përfitues, që janë 0.7 milionë euro, që i bie diku tek 900 milionë lekë të vjetra të shpërndara tek fermerët tanë dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Detyra jonë është, që Shqipëria e vërtetë kjo është. Nuk është Shqipëria ajo që mblidhet një herë në muaj dhe bën xhiron e pasdites, pastaj hedhin ca bojë tek institucionet e shtetit, atë punë kanë ata”.

Ndërsa përfaqësuesja e AZHBR, Jolanda Shtini në fjalën e saj theksoi se procedurat e lehtësuara po u vijnë në ndihmë fermerëve, ku vetëm në vitin 2018 në qarkun e Elbasanit përfituan rreth 600 fermerë.

“Për herë të parë në vitin 2018 aplikimi është bërë me zero dokumente. Çdo fermer paraqitet në zyrat e aplikimit vetëm me niptin e fermerit dhe kartën e identitetit, asnjë dokument tjetër nuk i kërkohet në momentin e aplikimit.

Pasi shpallet lista e përfituesve, për investime të përcaktuara, kërkohen dy dokumente”, tha Shtini.

Aplikimet për Masat Direkte do të bëhen nga data 23.04.2019 deri më 10.05.2019. Afati përfundimtar për dorëzimin e dokumenteve në AZHBR është data 07.06.2019. Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentacionit për Masat e Investimeve do të kryhet në zyrat qendrore të AZHBR nga data 23.04.2019 deri më 17.05.2019.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.