1 miliard euro investime të huaja direkte, nivel rekord në 2018


TIRANË, 21 prill/ATSH/ Ekonomia shqiptare vijon të tërheqë investitorët e huaj, ku vetëm në vitin e fundit injektimi në ekonomi arriti nivelin rekord me mbi 1 miliard euro investime të huaja direkte.

Përmes rubrikës “60 sekonda fakt”, Kryeministri Edi Rama paraqet një pasqyrim të situatës se sa tërheqëse është ekonomia shqiptare ndaj investitorëve të huaj.

Sipas raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë pasur një trend pozitiv që vihet re qartë vitet e fundit.

Gjatë këtyre 5 viteve, flukset hyrëse në ekonominë tonë janë rritur mesatarisht me 4% në vit, ose me 38 milionë euro më shumë çdo vit.

Po sipas Bankës së Shqipërisë, sektorët kryesorë që kanë tërhequr më tepër investime në këto 5 vite, krahas sektorit të energjisë, janë industria nxjerrëse dhe aktivitetet financiare.

Kjo rritje në industrinë nxjerrëse ka ardhur edhe falë projektit strategjik të SHELL.

Kjo reflektohet tek vendet që kanë investuar më shumë këto vitet e fundit, ku pas Zvicrës me 1.3 miliardë euro, gjendet Holanda me 576 milionë euro, pasuar nga Turqia me 372 milionë euro.

/m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.