Zgjedhjet vendore, Balla: Shqiptarët dinë të bëjnë shumë mirë dallimin

TIRANE, 20 prill/ATSH/- “Më 30 Qershor zgjedhjet do të zhvillohen dhe në këtë datë çdo shqiptar ka të drejtën të votojë Kryetarin e Bashkisë. Shqiptarët dinë të bëjnë shumë mirë dallimin mes bashkive që drejtohen nga PS dhe bashkive që drejtohen nga Luli dhe Monika, e të cilat ka ardhur koha t’i çlirojmë nga kapja prej tyre”.

Kështu deklaroi kryetari i grupit parlamentar të PS, deputeti i Qarkut Elbasan, Taulant Balla, i cili i shoqëruar edhe nga  Sekretarin për Mediet dhe Shoqërinë Civile, Afred Pezën zhvilloi një takim me koordinatorët dixhitalë të qarkut të Elbasanit ku u diskutua për një nga elementët më të rëndësishëm të një fushate elektorale, komunikimin digjital.

Balla deklaroi se “zgjedhja është aq e thjeshtë sa ne jemi të sigurt se edhe po të garonte në zgjedhje i vetëm, Lulzim Basha sërish do të humbte, pasi shqiptarët e refuzojnë Bashën, partinë e tij pa ide dhe alternativën e tij të dhunës, politikën e tij të baltës dhe gënjeshtrës. Lulzim Basha mendon vetëm për veten e tij e për asgjë tjetër. 100% për Bashën, 0% për Shqipërinë”.

Duke u ndalur te takimi me koordinatorët dixhitalë të këtij qarku, Balla vuri në dukje se “komunikimi korrekt dhe i vazhdueshëm me mediet mbetet një nga dimensionet kryesore të çdo fushate dhe tashmë një gjë e tillë është bërë edhe më e thjeshtë përmes transmetimeve direkte në facebook, në të cilat mediet kanë akses të drejtpërdrejtë në kohë reale”.

Ai ka kërkuar nga koordinatorët tanë të jenë në kohë reale në përgjigje të pyetjeve dhe shqetësimeve që drejtohen nga qytetarët në rrjetet sociale dhe sidomos në portalin e ri “Bashkitë që duam”.

Balla bën me dije se në këtë portal do të publikohet axhenda e çdo kandidati duke i dhënë mundësi medieve dhe shoqërisë civile të marrin pjesë në rast të interesi nga ana e tyre.

Nga ana e tij, Sekretari për Mediet dhe Shoqërinë Civile, Alfred Peza u ndal më gjatë me koordinatorët dixhitalë të Qarkut të Elbasanit duke shpjeguar në detaje teknike të gjithë mënyrën më të mirë, transparente dhe efikase që duhet të ndjekë secili. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.