Tirana pa makina/Nga muzeu te këngët partizane, aktivitetet e organizuara nga Bashkia

TIRANE, 20 prill/ATSH/- Tirana po bëhet gati për të përkujtuar 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut.

Por ndryshe nga vitet e tjera, krahas ceremonive zyrtare e homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Bashkia e Tiranës ka menduar që këtë datë të shënuar ta përkujtojë krejt ndryshe për të gjitha grupmoshat, ndërkohë që rrugët e kryeqytetit do të jenë pa makina për t’ia dedikuar të gjithë hapësirën këmbësorëve.

Në këtë mënyrë, 5 maji do të jetë i mbushur me shumë aktivitete të ngjashme me Ditën e Verës.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshin “Nënë Tereza” do të zhvillohet Panairi i antikuarëve të Tiranës, ndërsa do të zhvillohet edhe ceremoniali i skulpturave të Partizanëve. Ndërkaq do të jetë edhe një muze i hapur.

Gjithashtu është menduar edhe një program i pasur artistik, ku nuk do të mungojë Kori i Shkollave të Mesme, shfaqja e filmave të vjetër shqiptarë me temë nga LANÇ si dhe do të ketë edhe një performancë të 50 balerinëve.

Paralelisht, aktivitetet do të mbahen edhe në Sheshin “Skënderbej”, ku do të ketë një koncert me korin e Liceut Artistik kombinuar me shfaqje aktrimi të fëmijëve të QKKF si dhe do të organizohet një minipoligon për qitje dhe Paintball.

Festa do të vijojë edhe në orët e mbrëmjes ku do të ketë këngë kënge partizane në sheshin “Nënë Tereza”.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe Sheshi “Nënë Tereza”

-Ora 08:00 Panairi i antikuarëve të Tiranës

-Ora 09:00 Ceremoniali i skulpturave të Partizanëve

-Ora 09:00 Open Muze

-Ora 10:00 Kori i Shkollave të Mesme

-Ora 10:00 Shfaqje e filmave të vjetër shqiptarë me temë nga LANÇ

-Ora 10:30 Performancë e 50 balerinëve

-Ora 19:00- 21:00 Këndojmë kënge partizane në sheshin Nënë Tereza

Sheshi “Skënderbej”

-Ora 10:00-11:00 Koncert me korin e Liceut Artistik kombinuar me shfaqje aktrimi të fëmijëve të QKKF

-Ora 10:00-13:00 Organizimi i një minipoligoni qitje dhe Paintball /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.