REP.ÇEKE – Kryeministri refuzon dorëheqjen edhe pse akuzohet për mashtrim

PRAGË, 20 prill /ATSH-AFP/ – Kryeministri çek, miliarderi Andrej Babis deklaroi sot se nuk do të jepte dorëheqjen edhe pse ishte i akuzuar për mashtrim me subvencionet europiane.

Javën e kaluar, policia rekomandoi vënien nën akuzë të kryeministrit për një çështje që përfshin dy milionë euro, që mund t’i kushtojë atij një dënim nga pesë deri në dhjetë vite burg.

‘’Unë nuk do të jap dorëheqjen, pasi siç jam shprehur që në fillim kjo nuk është gjë tjetër veçse një çështje politike’’, deklaroi Babis për të përditshmen ”DNES” në pronësi të tij.

Personi i dytë më i pasur i vendit, Babis 64 vjeç u vu nën akuzë në 2017 së bashku me disa persona të tjerë, në një çështje për shpërdorim të dyshuar të fondeve europiane në periudhën 2007-2008 lidhur  me kompleksin në fushën e hotelerisë ‘’Foleja e Lejlekut’’, në afërsi të Pragës.

”Nëse nuk do të isha pjesë e politikës, askush nuk do të kishte dëgjuar të flitej për Folenë e Lejlekut’’, pohon Babis./ / v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.