Platforma e bashkëqeverisjes, qytetari nga Shkodra i zgjidhet problemi i mbifaturimit të energjisë

TIRANË, 20 prill/ATSH/- Viktor Bala, pronar i një objekti në lagjen “Perlat Rexhepi” në Shkodër, iu zgjidh problemi i mbifaturimit të energjisë nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, Elektrike (OSHEE).

Kryeministri Edi Rama solli sot rastin e Balës, i cili mori zgjidhje brenda 6 ditësh për problemin që kishte.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e Viktorit nga Shkodra, që pavarësisht pengesave të burokracisë nuk i’u dorëzua mërzisë, por i’u drejtua platformës shqiperiaqeduam.al duke fituar të drejtën e penguar, ju uroj një fundjavë të mbarë”, thekson Rama.

Tonin Nikjari, kunati i Viktorit, tregon se “objekti në të cilin ka ardhur mbifaturimi, ka dy vjet që është jashtë funksionit. Ka patur një mbifaturim të energjisë nga ana e OSHEE për periudhat nëntor-dhjetor 2017 dhe janar-shkurt 2018. Në këtë objekt nuk ka aktivitet tregtar. Fatura vinte nga 200 -300 mijë lekë për 600-700 kilovat që kanë ardhur në faturë. Shkuam u ankuam tek zyra e OSHEE, bëmë kërkesën dhe na thanë do të zgjidhet problemi, shkonim një vit rresht dhe nuk u zgjidh problemi”.

“Kur kunati erdhi për vitin e ri për pushime, shkoi ai dhe nuk arriti ta zgjidhe problemin. I thashë është një platformë ku ankohen njerëzit dhe ai aplikoi”, u shpreh Nikjari.

“Quhem Vitkor Bala , pronar i një objekti në lagjen :Perlat Rexhepi”. Kam patur një mbifaturim të energjisë nga ana e OSHEE për periudhat nëntor-dhjetor 2017 dhe janar-shkurt 2018. Në këtë periudhë njësia tregtare ka qenë e mbyllur sepse nuk ka pasur aktivitet. Për të gjithë muajt në vazhdim shkurt 2018 është bërë pagesa e energjisë rregullisht (tarifa standard) edhe pse nuk ka pasur energji. I jam drejtuar zyrave të OSHEE Shkodër dhe pas paraqitjes së problemit është dërguar një grup pune në vendngjarje, i cili ka konstatuar se konsumimi i energjisë nuk ka ndodhur , por kanë shprehur pamundësinë e zgjidhjes së problemit sepse duhet të dërgohet për shqyrtim në zyrat qendrore në Tiranë. Tani është mundësia e hapjes së një aktiviteti, por për momentin një gjë e tillë nuk është e mundur sepse mungon akoma lidhja e energjisë deri në sqarimin situatës, e cila ndikon edhe në ekonominë. Po iu drejtohem ju me besimin e madh që do ta shqyrtoni këtë problem”, thuhej në ankesën që Bala i drejtoi platformës së bashkëqeverisjes.

Nikjari shprehet se “për 5 -6 ditë e morën në telefon dhe i thanë shko tek OSHEE , se problemi është zgjidhur. U sistemuan të gjitha faturat, Faleminderit platformës”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.