FOTO/ Turistë të shumtë drejt zonave historike dhe arkeologjike të Lezhës

TIRANË, 20 prill /ATSH/ – Muaji prill po shënon rritje të fluksit të vizitorëve dhe turistëve të huaj në zonën historike dhe arkeologjike të qytetit të Lezhës.

Pas rikonstruksionit të plotë të vendvarrimit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndalesa e parë e vizitorëve është në këtë vend. Vizitorët e shumtë janë nga rrethe të ndryshme të vendit por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Diaspora.

Vizitorët e radhës ishin 70 nxënës të shkollës së mesme “Dardania” të Komunës “Hani i Elezit” Kosovë, të cilët e vizitojnë për të 13-in vit radhazi Memorialin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Vizitorët shprehin vlerësim për punën e mirë që bën bashkia e Lezhës në identifikimin, ruajtjen, pasurimin dhe promovimin e vlerave historike, kulturore e turistike të këtyre aseteve me rrezatim kombëtar dhe më gjerë.

Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore pranë Bashkisë Lezhë, Paulin Zefi, bën të ditur se rikonstruksioni i vendvarrimit të Skënderbeut e ka shtuar numrin e vizitorëve dhe pritet të jetë akoma më i lartë gjatë muajit maj dhe sezonit turistik të verës.

Parashikohet që këtë vit ta vizitojnë Lezhën dhe objektet e saj historike afro 45 mijë turistë, të cilët krahas vizitave në memorial do shohin nga afër dhe Kalanë e Lezhës, monument kulture që ruan vlera të hershme historike, simbiozë e ndërtimeve Ilire, Romake dhe Bizantine. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.