FOTO/ Trashëgimia kulturore e Korçës ‘udhëton’ në Prizren

TIRANË, 20 prill /ATSH/ – Ekspozita “Përmes Trashëgimisë, nga Korça në Prizren” e inspiruar nga kalendari kulturor Shqipëri- Kosovë 2019, u hap ditën e djeshme në Prizren dhe do të qëndrojë e hapur për rreth 1 muaj në Galerinë e Hamamit të Gazi Mehmet Pashës.

Prezantimi në Prizren i 30 grafikave nga tipologji të ndryshme të objekteve të qarkut Korçë, u mirëpritë nga vizitorët e shumtë që njohën nga afër përmes grafikëve trashëgiminë kulturore dhe vlerat e qytetit të serenatave dhe kulturës.

Qëllimi kryesor i kësaj ekspozite është njohja dhe promovimi me vlerat më të spikatura atkitektonike dhe kulturore të Korçës si një mundësi për të njohur të përbashkëtat dhe ndërtuar një urë lidhëse midis dy qyteteve tona, si dëshmi të jetesës së pasur qytetare dhe atdhedashëse.

Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore Prizren. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.