FOTO/ Fushata e mbjelljes së pemëve në Tiranë edhe mes blloqeve të pallateve

TIRANË, 20 prill /ATSH/ – Nuk ka rëndësi nëse janë objekte të vjetra të para viteve ‘90 apo të ndërtuara së fundmi. Pjesa dërrmuese e banorëve në kryeqytet kanë zgjedhur me konsensus përfaqësuesin për administrimin e përbashkët, si pastrimi i shkallëve, ndriçimi, ashensori etj., dhe që ndihmojnë edhe si një urë komunikimi me bashkinë.

I pranishëm në aksionin për shtimin e gjelbërimit të hapësirave të përbashkëta në bllokun e pallateve pranë rrugës “Jordan Misja”, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se falë zgjedhjes së administratorëve është rritur cilësia e jetës dhe njëkohësisht prona ka marrë një tjetër vlerë.

”Mjafton të shohësh dy anët e rrugës dhe dallohen pallatet që kanë zot dhe ato që janë pa zot. Kush nuk e ka ngritur asamblenë e pallatit, ju lutem nxitoni! 80% e Tiranës sot ka administrator. Më mirë të jemi me këtë 80% që do rregull, pastërti, disiplinë, se sa ai 20% që i bishtnon kësaj përgjegjësie. Në fund të ditës, kush nuk zgjedh administrator i bën vetëm dëm vetes, i degradon pallati, do të thotë i bie vlera pronës, higjiena, ndaj për të gjitha këto arsye duhet të ndjekim këtë shembull”, u shpreh ai.

Veliaj u bëri apel qytetarëve që të shfrytëzojnë hapësirën ligjore të vendosur nga qeveria deri në fund të prillit për të regjistruar adresën e saktë të banimit. Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë mundësi të marrin më shpejt dhe të përfitojnë më shumë shërbime.

”Thirrja sot për banorët, përveç mbjelljes së pemëve, zgjedhjes së administratorëve, ka të bëjë me diçka që lidhet drejtpërdrejt me shërbimet që ata marrin. Deri në fund të prillit kemi afat që të shfrytëzojmë pa pagesë hapësirën ligjore për t’u regjistruar në njësinë ku banon. Në mandatin e dytë dhe për çfarëdo lloj vendimmarrje tjetër, na lipset të dimë ekzaktësisht kush banon këtu. Të ndihmon për votimin, për të pasur një qendër votimi afër, për të pasur qendër shëndetësore e shërbimet falas, për regjistrimin në shkollë, kopsht, çerdhe të fëmijëve”, theksoi Veliaj.

Deri në fund të prillit, të gjithë qytetarët mund të transferojnë gjendjen civile në adresën e tyre të saktë pa asnjë sanksion. “Bëje pa pagesë, sot deri në fund të prillit kemi afat! Përndryshe vjen prapë ajo gjoba e famshme, që është një mënyrë për të disiplinuar pak këtë proces të atyre që janë neglizhentë. Mos neglizhoni!”, tha kryebashkiaku.

Administratori Simon Ulndreaj u shpreh se falë kësaj nisme të bashkisë së Tiranës, jetesa në komunitet është përmirësuar ndjeshëm.

”Pas një viti, të gjitha pallatet janë në një nivel shumë më të mirë, më të pastër dhe të rregullt”,  u shpreh Ulndreaj. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.