Festa e Pashkëve, Arqipeshkvi Frendo mesazh urimi: Ngjallja e Krishtit na jep shpresë dhe kurajo

TIRANË, 20 prill /ATSH/ – Besimtarët katolikë në mbarë botën, kremtojnë Vigjiljen e Ngjalljes së Krishtit.

Si në çdo festë Pashkësh, nuk mungoi dhe urimi i Arqipeshkvit Metropolit Tiranë-Durrës, George Frendo për gjithë besimtarët katolikë.

Imzot George Frendo, duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve, tha se nuk mund të heshtë përballë kësaj situate, duke i kërkuar politikanëve të angazhohen për një zgjidhje të drejtë.

“U bëj apel të gjithë politikanëve, kanë detyrë morale të angazhohen për një zgjedhje të drejtë dhe të shqetësohen më shumë për të mirën e përbashkët se sa për pozitën që kanë. Ne nuk duam vetëvrasjen e kombit. Krishti i ngjallur në takimet e tij me njerëz pati gjithmonë të njëjtin urim ‘Paqja me ju’, atyre që mbajnë inat në zemrat e tyre që merren me ndjenja hakmarrjeje, Krishti iu thotë falni ashtu sikurse unë iu kam falur. Atyre që protestojnë me dhunë, me vandalizëm Jezusi i kujton fjalët e tij drejtuar Pjetrit kur i tha ‘Të gjithë ata që rrokin shpatën nga shpata do të vdesin. Dhe atyre që kanë autoritet politik iu kujton se në darkën e tij të fundit, pasi i lau këmbët apostujve iu tha ‘ju dhashë shembull; që sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju. Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull për popullin”, tha ai.

”Ngjallja e Krishtit na jep shpresë, e shpresa nuk na bën optimist por realist dhe na jep kurajo për të përballuar problemet. Kjo gjithashtu na bën të aftë për t’u angazhuar në një shoqëri më të mirë. Nga zemra ju uroj paqe dhe gëzimet e Krishtit. Gëzuar Pashkët”, ishte urimi i Arqipeshkvit Metropolit, George Frendo.

Festa e Pashkëve, është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë ringjalljen e Jezusit, e cila ka ndodhur sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.