Zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Ambasada e SHBA: Nxisim këdo që të regjistrohet

TIRANË, 19 prill/ATSH/ – E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Leyla Moses-Ones, deklaroi sot se “nxisim këdo që mendon të kandidojë që të regjistrohet në zgjedhjet vendore të 30 qershorit”.

Në përgjigje të interesimit të “Zërit të Amerikës” për qëndrimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara ndaj zgjedhjeve vendore dhe pjesëmarrjes së partive të opozitës, ndërkohë që afati për regjistrimin pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, po mbaron, e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones solli në vëmendje deklaratat e zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer në Tiranë, i cili, siç theksoi diplomatja amerikane “u bëri thirrje atyre partive që kanë braktisur institucionet e Shqipërisë që të riangazhohen në procesin politik”.

“Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të qershorit është mundësia më e mirë për ta, që ta bëjnë këtë”.

E Ngarkuara me Punë u shpreh se Ambasada “mirëpret konkurrimin demokratik të hapur dhe energjik në kutinë e votimit. Votuesit shqiptarë duhet të kenë mundësinë të zgjedhin mes një game të gjerë kandidatësh që do t’i përfaqësojnë vërtet ata. Nxisim këdo që mendon të kandidojë që të regjistrohet”, – tha ajo.

Diplomatja amerikane përshëndeti njëkohësisht “hapat konstruktivë të opozitës në parlament dje, të cilët formalizuan më tej praninë dhe pozicionet e tyre si deputetë”.

“Formimi i grupeve parlamentare do të forcojë më tej aftësinë e tyre për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre si anëtarë aktivë të parlamentit. Parlamenti i Shqipërisë vazhdon të funksionojë. Ky vazhdim i proceseve parlamentare, përfshi hyrjen e deputetëve të rinj, zhvillimin e debateve dhe miratimin e ligjeve, është shenjë e vazhdimësisë dhe stabilitetit të këtij institucioni të rëndësishëm demokratik”, – nënvizoi e Ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane.

/k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.