Vetingu/ KPA kërkon shkarkimin e kreut të Prokurorisë së Apelit, Tiranë

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Komisioneri Publik ankimoi sot në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, vendimin e 4 marsit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Dritan Peka, prokuror, drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë.

Komisioneri Publik vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, prokurori Dritan Peka nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Dritan Peka.

Komisioneri Publik përfaqëson interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.